Mbi 1 mijë nxënës pjesë e projektit ''DEMOS-TI''

Faza e parë e lindjes së demokratëve të rinjë, ka përfunduar me sukses. Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta si dhe edukimin qytetar të tyre, tashmë përkujdeset projekti ’’Demos-ti’’. Edhe pse projekti do të inagurohet zyrtarisht më vonë gjatë këtij viti, ‘’Demos-ti’’ ka filluar të marrë hapat e parë të suksesshëm.
Përmes Punëtorive të Demokracisë, nxënësit kosovarë që nga 4 tetori, kanë pasur rastin jo vetëm të mësojnë mbi demokracinë, por edhe të prodhojnë gazeta të mbushura me punën e vetë nxënësve pjesëmarrës. Që nga ajo datë, në Punëtoritë e Demokracisë kanë marrë pjesë 1637 nxënës nga 9 shkolla të Komunës së Prishtinës dhe ky numër po vazhdon të rritet çdo ditë. Këtu përfshihen shkolla “Faik Konica”, “Nazim Gafurri”, “Pjetër Bogdani”, "Hilmi Rakovica", Shkolla “Model’’, “Afrim Gashi”, “Emin Duraku”, Shkolla “Teuta” nga fshati Grashticë dhe Shkolla “Ganimete Tërbeshi” nga fshati Llukar. Kurse, gjatë muajve në vijim, ‘’Demos-ti’’ do të përfshijë nxënës edhe nga komunat e tjera të Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, për më shumë se dy muaj, deri më 23 dhjetor kur është mbajtur Punëtoria e fundit, nxënësit e klasave III - IX kanë mësuar parimet bazë të demokracisë. Ata, gjithashtu, me punën e tyre kanë prodhuar 65 gazeta në fund të këtyre Punëtorive.
‘’Demos-ti’’, si platformë edukative mbi demokracinë në vendin tonë, përdor metoda kreative për të transmetuar informata konkrete mbi vlerat e demokracisë dhe vazhdon të prek mendjet e fëmijëve kosovarë, duke i pajisur ata me aftësi për të qenë qytetarë sa më të mirë të një vendi demokratik.