Kuvendi

Kuvendi është organ legjislativ i Republikës së Kosovës i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Kuvendi përbëhet nga njëqind e njëzet (120) deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës mbi moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare që përmbush kriteret ligjore mund të kandidojë për deputet.
Disa nga funksionet kryesore të Kuvendit janë: miraton ligje, miraton buxhetin, zgjedh dhe mund të shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës, mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit. Vendet në Kuvend ndahen në mes të gjitha partive, koalicioneve, nismave qytetare, kandidatëve të pavarur, në përpjesëtim me numrin e votave të fituara. Në kuadër të kësaj, njëzet vende janë të garantuara për komunitetet jo shumicë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjedhet me mandat 4 vjeçar dhe punimet vjetore i zhvillon në dy sesione: në sesionin pranveror dhe në atë vjeshtor. Mbledhjet e Kuvendit janë publike.

Më shumë informata lidhur me Kuvendin e Republikës së Kosovës, mund të gjeni në: www.kuvendikosoves.org