Çka ofrojmë ne?

Punëtoritë për demokraci “Demos-ti” janë konceptuar si një program i edukimit qytetar, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta. Këto punëtori synojnë të kontribuojnë në formimin e lidhjes mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nxënësve të klasave V-IX, ku përmes aktiviteteve dhe lojërave të ndryshme kreative ata do të mësojnë se si funksionon demokracia. Punëtoritë për demokraci do të zgjasin katër orë. Gjatë këtyre punëtorive, atëherë kur është e mundur, fëmijët do ta vizitojnë ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me deputetët apo t’i intervistojnë ata.

Këto punëtori do të udhëheqen nga edukatorë të përzgjedhur me kujdes, si dhe të trajnuar për përmbajtjen dhe organizimin e punëtorive. Ndër temat kryesore që do të trajtohen në punëtoritë për demokraci janë: Demokracia, Kuvendi, Deputetët, Ndarja e Pushtetit, Qeveria, Zgjedhjet dhe Qytetaria. Përmes këtyre temave synohet që nxënësit të fitojnë njohuri për demokracinë parlamentare, funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimin dhe zbatimin e ligjeve, si dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. E gjithë puna e nxënësve do të finalizohet në një gazetë të punuar nga vetë ata, e cila do të përmbajë vizatime, fotografi dhe shkrime mbi njohuritë që ata i kanë fituar gjatë punëtorisë. Në fund gazeta do t’i shpërndahet secilit prej tyre dhe do të publikohet këtu